Kthimi i shumëpritur në ring i Anthony Joshua u konfirmua të hënën, ku pritet të përballet me boksierin shqiptari, Kristian Prenga, më 25 korrik në Riyadh.
Në një moment kishte pasiguri nëse Joshua do të rikthehej sërish në boks, pas një aksidenti me makinë më 29 dhjetor, ku humbën jetën dy miqtë e tij, Sina Ghami dhe Latif “Latz” Ayodele. Vetë Joshua pësoi lëndime, por javët e fundit është rikthyer në stërvitje, madje duke punuar edhe me ish-rivalin e tij dhe kampionin e unifikuar të peshave të rënda, Oleksandr Usyk.
Synimi është që Joshua të fitojë në rikthimin e tij, për të hapur rrugën drejt një përballjeje me Tyson Fury, gjatë vitit.
Promotori i tij, Eddie Hearn, si dhe Turki Alalshikh, kryetar i Autoritetit të Përgjithshëm për Argëtim në Arabinë Saudite, kanë deklaruar se ndeshja me Fury është tashmë “e nënshkruar”.
Por, çëfarë dihet deri tani për kundërshtarin e ardhshëm të Joshuas, Kristian Prenga:
Faqja zyrtare e një prej mediave më të mëdha sportive në botë, ESPN shkruan se Prenga ka qenë kryesisht i panjohur jashtë qarqeve të boksit deri të hënën, por tani thuhet tutje se bokseri shqiptar do të përjetojë vëmendjen më të madhe të karrierës së tij, pasi u konfirmua si kundërshtari i radhës i Anthony Joshua.
Prenga, 35 vjeç, ka lindur në Shqipëri dhe aktualisht garon nga Nju Xhersi në Shtetet e Bashkuara, sipas BoxRec.
Rekordi i Prengës
Prenga ka një bilanc të fortë prej 20 fitoreve dhe vetëm 1 humbjeje. Interesant është fakti se të gjitha fitoret e tij kanë ardhur me nokaut. Megjithatë, ai kryesisht ka luftuar kundër kundërshtarëve më pak të njohur dhe nuk ka përballje me emra të mëdhenj apo të renditur lart në karrierën e tij, prandaj pritet që Joshua të jetë favorit i qartë dhe të fitojë bindshëm.
Në gjatësi 1.96 metra dhe mbi 260 paund peshë, Prenga është afërsisht i njëjtë në përmasa me Joshuan, por pak më i rëndë, gjë që mund t’i japë një sfidë fizike britanikut që të rikthehet në ritëm pas pauzës në ring. Nuk është rastësi që është zgjedhur një kundërshtar i madh fizikisht, duke marrë parasysh edhe karakteristikat e Tyson Fury.
Pavarësisht se është favorit i madh për humbje, shqiptari këmbëngul se po shkon për të surprizuar botën.
Ai ka deklaruar:
“Anthony Joshua është një luftëtar i madh, por ka bërë një gabim të madh duke më zgjedhur mua si kundërshtar. Kjo është lloji i ndeshjes që mund të ndryshojë gjithçka në jetën time dhe të tij.”
Ai shtoi gjithashtu:
“E di që ata kanë plane të mëdha pas kësaj ndeshjeje. E di që po më nënvlerësojnë. Jam i lumtur për këtë. Do t’ua prish planet dhe do ta trondis botën këtë korrik në Arabinë Saudite.”
A do të ndeshet Joshua me Fury pas kësaj?
Kjo mbetet pyetja kryesore dhe, megjithëse Joshua pritet të jetë favorit i madh ndaj Prengës, në boksin e peshave të rënda gjithçka mund të ndryshojë me vetëm një goditje.
Megjithatë, ESPN shkruan se “të gjitha shenjat tregojnë se përballja mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury mund të ndodhë më vonë gjatë këtij viti”.
“Ring Magazine”, në pronësi të Turki Alalshikh, ka raportuar se marrëveshja për ndeshjen është nënshkruar dhe pritet të zhvillohet në tre muajt e fundit të vitit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa do të transmetohet në Netflix. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar data apo vendi i saktë i zhvillimit.
Eddie Hearn më herët i kishte thënë ESPN-it se plani ishte që Joshua të rikthehej në korrik, e më pas të përballej me Furyn në nëntor. Ndeshja ndaj Prengës është gjithashtu pjesë e një marrëveshjeje me dy duele mes Joshuas dhe Alalshikh, ku përballja e dytë pritet të jetë pikërisht kundër Fury-t.
Nëse nuk ka pengesa të papritura, duket se tifozët e boksit mund të shohin më në fund përballjen e madhe britanike në peshat e rënda në vitin 2026.
/Reporteri.net/
