×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Ushtria zbret me parashuta në një ishull për të ndihmuar një britanik të dyshuar me hantavirus

    Reporteri
    10 Maj 2026 | 12:38

    Mjekët ushtarakë britanikë janë hedhur me parashutë në ishullin e largët atlantik Tristan da Cunha për të ndihmuar një shtetas britanik i dyshuar me hantavirus.

    Burri ishte larguar nga MV Hondius — anija turistike e goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i virusit — në mesin e prillit, në territorin më të largët të banuar britanik jashtë shtetit, ku ai jeton.

    Ai raportoi simptomat e para dy javë pasi kishte zbritur nga anija dhe thuhet se ndodhet në gjendje stabile ndërsa qëndron i izoluar. Tashmë janë konfirmuar gjashtë raste me virusin, përfshirë edhe dy britanikë të tjerë që po trajtohen jashtë anijes.

    Të shtunën, nga një avion RAF A400M u hodh edhe oksigjen, pasi rezervat në ishull kishin arritur në një nivel “kritik”, tha Ministria e Mbrojtjes (MoD).

    Gati një muaj pas vdekjes së parë në bordin e MV Hondius, anija tashmë ka mbërritur në Tenerife, ku autoritetet po ndihmojnë më shumë se 100 persona të zbresin për t’u riatdhesuar.

    Tre persona kanë vdekur nga shpërthimi, përfshirë dy që u konfirmua se kishin hantavirus.

    Hantavirusi është një grup virusesh që bartet nga brejtësit. Shumica e hantaviruseve nuk transmetohen nga personi te personi, por varianti Andes — i identifikuar te disa persona që kishin qenë në anijen holandeze — transmetohet.
    Britaniku që jeton në Tristan da Cunha kishte zbritur nga anija më 14 prill, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    /BBC/Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!