Agim Veliu ka refuzuar të jetë pjesë e listës së LDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit, shkruan Reporteri.net.

Ai u propozua si kandidat për deputet nga Dega e LDK’së në Podujevë.

Veliu ka thënë se nuk është konsultuar fare para se të propozohej, teksa ka shtuar se refuzon “të përdoret”.

Reklamë

“Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit. Unë nuk largohem nga LDK-ja, sepse është pjesë e jetës sime politike që nga themelimi i saj. Por, refuzoj të përdorem dhe të jem pjesë e një projekti që e largon partinë nga identiteti i saj institucional e shtetndërtues”, ka shkruar Veliu.

Ai ka goditur kreun e partisë, Lumir Abdixhikun dhe ish-Presidenten Vjosa Osmanin.

“Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike. Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventuara e saj pesë vjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në “Bashkim të madh të djathtistëve””, ka shkruar Veliu.

Veliu ka thënë se lidershipi aktual i LDK-së erdhi në parti për ta administruar, jo për ta zhvilluar dhe se prodhoi përçarje dhe polarizim të anëtarësisë, duke përmendur edhe humbjet në zgjedhje.

“Nuk dua të flas kronologjikisht as për goditjet ndaj meje dhe vetë degës në Podujevë në vitet e fundit nga lidershipi aktual i LDK-së, që erdhi në parti për ta administruar, jo për ta zhvilluar. Nuk dua t’ua sjell në kujtesë as papërgjegjësinë e lidershipit që prodhoi përçarje të madhe dhe polarizim të skajshëm të anëtarësisë. E, nuk po përmend as humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore dhe rënien drastike të elektoratit në Llap e kudo në Kosovë”, thuhet në postimin e tij.

Reklamë

“Jam i bindur se LDK do të çlirohet nga mentaliteti i OJQ-izimit politik dhe do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë përgjegjëse shtetformuese. LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve”, përfundon postimi./Reporteri.net