Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar  për dërgimin e Njësisë Speciale në Skënderaj.

Musliu ka shkruar se ajo që ka parë mbrëmë në Skenderaj nuk ishte thjesht një aksion policor, por një pamje e rëndë dhe e papranueshme për çdo qytetar që e njeh historinë dhe plagët e këtij vendi.

“Le ta dijë Albin Kurti se edhe Millosheviqi luftën e kishte nisur në Drenicë. E megjithatë, Drenica historikisht asnjëherë nuk u nënshtrua, asnjëherë nuk u frikësua dhe kurrë nuk e duroi poshtërimin.

Reklamë

Secili që ia ka mësyrë Drenicës është kthyer i turpëruar prej saj”, ka shkruar Musliu ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Ka momente kur fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar dhimbjen, zemërimin dhe zhgënjimin që ndjen.

Ajo që pashë sonte në Skenderaj nuk ishte thjesht një aksion policor, ishte një pamje e rëndë, e papranueshme dhe e pafalshme për çdo qytetar që e njeh historinë dhe plagët e këtij vendi.

Dëshpërimi është në kulm, ndërsa zhgënjimi bëhet i pashmangshëm kur sheh se si një njësi elitare si NjSO, në mes të natës, e rrethon Skenderajn me policë të maskuar dhe me armë të gjata.

Reklamë

Sinqerisht, kurrë nuk kam besuar se do ta shihja një pamje të tillë. Pamje që godasin rëndë dhe na e kthejnë kujtesën tek skenat që mendonim se i kishim lënë përgjithmonë pas, në vitin 1999.

Në mungesë të projekteve të realizuara, ideve për zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët, Albin Kurti ka zgjedhur të krijojë tensione e përçarje, duke përdorur tërë aparatin shtetëror për ta frikësuar, denigruar dhe poshtëruar popullin liridashës të Drenicës.

Por, përkundër gjithë këtij presioni, qytetarët e Skenderajt dhe të Drenicës treguan sonte maturi, dinjitet dhe vetëpërmbajtje. Për këtë, meritojnë respekt dhe falënderim të veçantë.

Le ta dijë Albin Kurti se edhe Millosheviqi luftën e kishte nisur në Drenicë. E megjithatë, Drenica historikisht asnjëherë nuk u nënshtrua, asnjëherë nuk u frikësua dhe kurrë nuk e duroi poshtërimin.

Reklamë

Secili që ia ka mësyrë Drenicës është kthyer i turpëruar prej saj.

Edhe sonte, Drenica qëndroi me dinjitet