×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026
    INSTANT

    Vjosa Osmani: VV nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për Presidente

    Reporteri
    07 Qershor 2026 | 22:31

    Kandidatja për Presidente nga LDK, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin e saj për Presidente, shkruan Reporteri.net.

    Osmani nuk e zgjati më tej përgjigjen.

    “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për Presidente”, ka thënë ajo.

    Osmani ka thënë se LDK është rritur për 5%, duke e cilësuar këtë si rritjen më të madhe nga secila parti që garoi në zgjedhjet e sotme.

    “Tani jemi në 20 mandate apo 5 pikë % që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në zgjedhje. Ky është vetëm hapi i parë drejt ringritjes”, deklaroi Osmani në konferencën me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun.

    Ajo tha se nga nesër, i gjithë angazhimi i tyre do të jetë i orientuar për t’i dhënë institucione vendit.

    “Pjesëmarrja ishte relativisht më e ulët dhe kjo është krejtësisht normale duke e ditur se qytetarët janë lodhur me zgjedhje dhe kriza”, shtoi Osmani./Reporteri.net

    “Polici e fortë”, “Xhandarmëria përforcim shtesë” – çfarë thanë Kurti, Haxhiu e Sveçla në 27-vjetorin e Policisë

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 8:00

    Policia e Kosovës shënoi të dielën 27 vjetorin e themelimit. Me ceremoni solemne, e nën moton “Një rrugëtim i përbashkët një mision i përhershëm” u nderua puna e të gjithë atyre zyrtarëve policorë ndër vite, si dhe u nderuan ata që humbën jetën në krye të detyrës, shkruan Reporteri.net.

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu në ceremoninë solemne për shënimin e 27-vjetorit të Policisë së Kosovës, ka kujtuar edhe themelimin e këtij institucioni dhe rrugëtimin e tij nga 176 kadetët e parë deri te mbi 9 mijë zyrtarë policorë.

    “Çlirimi i vendit nuk ishte fundi i rrugës, por fillimi i ndërtimit të një policie të fortë të Kosovës, që do të mbronte qytetarët dhe do të garantonte sundimin e ligjit”, ka thënë Haxhiu.

    Ajo ka përmendur 6 shtatorin e vitit 1999, kur në Vushtrri nisi trajnimi i gjeneratës së parë të kadetëve të Policisë së Kosovës.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë ka deklaruar se Kosova është më e sigurt si asnjëherë më parë, pasi tha se Policia e shtetit është më e fortë se kurrë, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se institucioni i Policisë u ngrit me sakrifica e mund.

    Kurti ka treguar se edhe sa stacione e baza policore janë ngritur në veri.

    “Kosova është më e sigurt se asnjëherë më parë. Themelimi i Policisë së Kosovës 27 vjet më parë përkon me çlirimin tonë. Policia është angazhuar për shtet që funksionon e ku ngadhënjen rendi e ligji. Policia respekton dhe ruan qytetarët pa dallim duke zbatuar ligjin”.

    “Përgjatë 5 viteve të fundit krahas rritjes për 50 për qind të buxhetit të policisë, janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione në gjithë veriun atje ku më parë nuk kishte asnjë institucion. Prania e institucioneve në veri ishte kyçe edhe për gjetjen e varrezave masive të luftës së fundit”, tha ai.

    Ai përmendi edhe policët e rënë në detyrë, të cilët i cilësoi si heronj të vendit, ndërsa tha se themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si përforcim shtesë për Policinë e Kosovës.

    Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka vlerësuar punën dhe angazhimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke veçuar profesionalizmin, guximin dhe sakrificën e tyre në shërbim të qytetarëve.

    Ai tha se gjatë 27 viteve të funksionimit, Policia e Kosovës ka kaluar nëpër etapa të ndryshme dhe është përballur me sfida të shumta, por misioni i saj ka mbetur i njëjtë – garantimi i rendit dhe sigurisë publike dhe mbrojtja e qytetarëve.

    “Policia ka dëshmuar se profesionalizmi, guximi dhe përkushtimi janë në shërbim publik dhe janë vlera mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti”, është shprehur Sveçla.

    Në këtë përvjetor, ministri në detyrë ka përmendur edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

    “Në këtë 27-vjetor kujtojmë me respekt të thellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata janë pjesë e pandashme e historisë së këtij institucioni dhe dëshmia më e lartë e përkushtimit ndaj qytetarëve dhe Republikës”, ka deklaruar ai.

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha deklaroi se kjo është një ditë krenarie për Policinë e Kosovës, institucionet dhe qytetarët.

    “Sot shënojmë 27 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Një institucion që është zhvilluar e forcuar mbi parimet e ligjit. Rruga jonë ka kaluar në sfida të shumta, por që policia ka treguar vullnetin e aftësinë për t’ju përgjigjur nevojave të kohës. Policia është shndërruar në një institucion modern e të besueshëm”.

    “Në këtë përvjetor para se të flasim për arritjen dhe të ardhmen duhet të ndalemi dhe të kujtojmë me nderim e respekt të gjithë ata zyrtarë që kanë shërbyer, e që një pjesë e tyre tashmë kanë dal në pension”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!