×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Dhunë në Irlandën e Veriut, 2 policë të plagosur në protestat anti-emigracion

    Reporteri
    10 Qershor 2026 | 16:49

    Protesta të dhunshme anti-emigracion u zhvilluan në Belfast të Irlandës së Veriut, të nxitura nga një sulm me thikë të ndodhur të hënën në rrugët e kryeqytetit.

    Manifestuesit u vunë flakën automjeteve të shumta dhe disa ndërtesave në shenjë rebelimi ndaj të huajve, si dhe lanë të plagosur dy oficerë policie gjatë akteve të dhunës.

    Mbrëmjen e së hënës, në një zonë në veri të qytetit, një person i armatosur me thikë sulmoi një kalimtar, duke e lënduar rëndë në kokë dhe në qafë, përpara se një grup njerëzish të ndërhynin.

    Agresori u identifikua si një 30-vjeçar sudanez, që kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2023 dhe i ishte dhënë statusi i refugjatit.

    Hadi Alodid u paraqit të mërkurën përpara trupës gjykuese, e cila vendosi ta linte atë në gjendje arresti, nën akuzat e tentativës së vrasjes, kërcënimit dhe armëmbajtjes.

    Viktima e sulmit të tij, Stephen Ogilvy ndodhet ende i shtruar në spital për shkak të plagëve të rënda. Sipas mediave britanike, ai ka humbur syrin e majtë dhe ka pësuar dëmtime në fytyrë dhe prapa kokës.

    Autoritetet policore të Irlandës së Veriut u bënë thirrje qytetarëve vendas që të distancohen nga aktet e dhunës dhe t’ia lënë çështjen në dorë organeve të drejtësisë.

    Protesta paralele u zhvilluan edhe në Skoci, ku në qytetin e Glasgout banorët sulmuan emigrantët me ngjyrë.

    Kryeministri britanik Keir Starmer dënoi sulmin me thikë, duke e cilësuar atë si “të neveritshëm”, por theksoi se ishte e qartë se, shumë njerëz ishin sulmuar për shkak të prejardhjes së tyre.

    “Nuk do ta tolerojmë këtë. Përgjegjësit do të ndjejnë forcën e plotë të ligjit”, shkroi Starmer në rrjetin “X”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!