Demokratët në Kongresin amerikan kanë nisur një hetim për të zbuluar nëse kompania e njohur Nvidia ka ndërhyrë në një hetim të autoriteteve amerikane ndaj kompanisë Megaspeed, e dyshuar për transferimin e paligjshëm të çipave drejt Kinës.

Në një letër të dërguar më 19 nëntor Sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, ligjvënësit demokratë kërkojnë të sqarojnë nëse Nvidia ka përdorur ndikimin e saj për të ndërhyrë në punën e hetuesve. Ata ngrenë shqetësimin se një kompani e madhe amerikane, me lidhje financiare dhe personale me administratën Trump, mund të ketë ndikuar në zbatimin e ligjit.

Megaspeed, një kompani me seli në Singapor që operon qendra të të dhënave dhe është partnere e Nvidia-s, është nën hetim nga autoritetet amerikane prej rreth dy vitesh. Sipas Departamentit të Tregtisë dhe Departamentit të Drejtësisë, hetuesit i kanë kërkuar Nvidia-s dokumente për shitjet e çipave ndaj Megaspeed që në maj të vitit 2025. Një muaj më pas, në bashkëpunim me autoritetet e Singaporit, ata kanë kryer kontrolle në ambientet e kompanisë dhe kanë marrë në pyetje ish-drejtuesen e saj, Alice Huang.

Reklamë

Çështja ka tërhequr vëmendjen edhe për shkak të një skandali personal që lidhet me ish-drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, i cili, sipas raportimeve, kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me Alice Huang. Kjo e fundit dyshohet nga autoritetet amerikane se ka lidhje me spiunazhin kinez, pretendim që Kina e ka mohuar. Jensen Huang dha dorëheqjen të enjten.

Një nga pikat kryesore të hetimit të ri lidhet me komunikimet mes Nvidia-s dhe zyrtarëve amerikanë. Sipas një zyrtari të Departamentit të Tregtisë, në gusht të vitit 2025, Nvidia kontaktoi drejtpërdrejt punonjësit e departamentit dhe kërkoi një takim me njërin prej tyre. Kompania u kishte thënë se nënsekretari i Tregtisë, Jeffrey Kessler, i kishte lejuar të komunikonin me ta.

Demokratët kërkojnë që Departamenti i Tregtisë të japë shpjegime dhe të dorëzojë dokumentet përkatëse deri më 1 dhjetor. Ata argumentojnë se Kongresi dhe qytetarët amerikanë kanë të drejtë të dinë nëse ka pasur ndërhyrje në hetim.

Nga ana tjetër, Byroja e Industrisë dhe Sigurisë në SHBA ka deklaruar se të gjitha hetimet dhe veprimet për zbatimin e ligjit kryhen sipas rregullave, duke theksuar se lufta kundër kontrabandës së çipave mbetet një prioritet.

Megaspeed ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se respekton të gjitha ligjet në fuqi, përfshirë rregullat amerikane për eksportin e teknologjisë.

Reklamë

Edhe Nvidia ka reaguar, duke thënë se si kompani amerikane komunikon me zyrtarët e Departamentit të Tregtisë për t’iu përgjigjur pyetjeve, për të dhënë informacion dhe për të marrë udhëzime. Kompania shtoi se pret të bashkëpunojë me Kongresin për këtë çështje.