×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Mbi 100 mijë pasagjerë, 17 vite mashtrim: Skandali i pilotit të Air Canada

    Reporteri
    10 Qershor 2026 | 20:30

    Një ish-pilot i kompanisë ajrore Air Canada akuzohet se ka transportuar më shumë se 100 mijë pasagjerë për gati 17 vite duke përdorur një licencë të falsifikuar. Rasti ka tronditur autoritetet kanadeze dhe industrinë e aviacionit, pasi bëhet fjalë për një nga mashtrimet më të mëdha të zbuluara ndonjëherë në një sistem që konsiderohet ndër më të kontrolluarit në botë.

    Bëhet fjalë për 59-vjeçarin Geoffrey Wall, i cili u arrestua më 1 qershor pas një hetimi të gjerë të quajtur “Project Icarus”. Hetimet nisën pasi autoriteti kanadez i transportit zbuloi parregullsi në dokumentacionin e tij gjatë një kontrolli rutinë në aeroportin e Torontos.

    Sipas akuzës, Wall kishte një licencë piloti komercial, por nuk zotëronte autorizimin e nevojshëm për të drejtuar fluturime ndërkombëtare me avionët që pilotonte. Ai kishte nisur punën në Air Canada në vitin 1998, ndërsa në vitin 2009, kur u promovua në detyrën e kapitenit, dyshohet se falsifikoi dokumentin që i lejonte të komandonte avionë komercialë për transport pasagjerësh.

    Autoritetet pretendojnë se mes viteve 2009 dhe 2025 ai ka drejtuar më shumë se 900 fluturime vendase dhe ndërkombëtare me avionë si Boeing 767, Boeing 777 dhe Boeing 787 Dreamliner, duke përfituar afro 3 milionë dollarë kanadezë pagë gjatë kësaj periudhe.

    Për të shmangur dyshimet, ai dyshohet se kishte bërë edhe një kallëzim të rremë në polici, duke pretenduar se dokumentet e tij të pilotimit ishin vjedhur.

    Wall përballet me akuza për mashtrim, përdorim dokumentesh të falsifikuara, posedim markash të falsifikuara dhe kallëzim të rremë. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 29 qershor 2026.

    Nga ana e saj, Air Canada deklaroi se piloti u largua menjëherë nga shërbimi sapo u zbulua rasti dhe se kompania e raportoi vetë çështjen tek autoritetet. Kompania shtoi gjithashtu se një audit i brendshëm nuk zbuloi raste të tjera të ngjashme dhe se siguria e pasagjerëve nuk ishte komprometuar, pasi pilotët i nënshtrohen trajnimeve dhe kontrolleve të detyrueshme periodike.

    Rasti ka sjellë ndër mend historinë e mashtruesit të famshëm Frank Abagnale, jeta e të cilit frymëzoi filmin “Catch Me If You Can” me protagonist Leonardo DiCaprio. Ndryshe nga Abagnale, i cili nuk pilotoi kurrë një avion, Geoffrey Wall dyshohet se ka qenë realisht në komandën e qindra fluturimeve për më shumë se një dekadë e gjysmë. /Corriere della Sera/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!