Kapiteni i Japonisë Uataru Endo ka njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja, pasi nuk arriti të rikuperohej plotësisht nga një dëmtim në këmbë që e mbajti jashtë futbollit të klubeve që nga shkurti.

Mesfushori i Liverpool-it kishte provuar rikthimin, duke luajtur edhe në një pjesë të parë të një miqësoreje ndaj Islandës në fund të majit, por gjendja e tij fizike nuk ishte e mjaftueshme për turneun final. Ai u zëvendësua në listën e Japonisë nga Shuto Machino.

Endo largohet nga Kombëtarja me 73 ndeshje dhe 4 gola, pasi debutoi në vitin 2015. Në deklaratën e tij ai tha se kishte bërë gjithçka për t’u rikuperuar dhe nuk kishte pendesa, duke shtuar se beson se ekipi aktual i Japonisë do të përballet me çdo sfidë.

Reklamë

Për Japoninë kjo është një tjetër goditje e madhe para turneut, pasi edhe sulmuesi i Brighton, Kaoru Mitoma, është dëmtuar dhe është jashtë skuadrës, për shkak të një problemi në kofshë. Trajneri Hajime Moriyasu ka përfshirë në skuadër lojtarë si Daichi Kamada, Ao Tanaka dhe Daizen Maeda.

Japonia ndodhet në Grupin F dhe do të përballet me Holandën më 14 qershor, Tunizinë më 21 qershor dhe Suedinë më 26 qershor në turneun me 48 skuadra, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.