Kanë nisur zyrtarisht paraqitjet për edicionin e parë të Turnirit në Futboll të Vogël “Dëshmorët dhe Martirët e Fortesës”, ndërsa ndeshjet e para do të zhvillohen duke filluar nga 27 qershori 2026 në Fortesë të Rahovecit.
Ky aktivitet sportiv organizohet në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të Fortesës, me synimin që të shndërrohet në një traditë të përvitshme që do të bashkojë sportdashësit, të rinjtë dhe komunitetin përmes futbollit dhe vlerave të respektit e kujtesës historike.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë sportdashësit që të formojnë ekipet e tyre dhe të bëhen pjesë e këtij organizimi, i cili pritet të sjellë garë sportive, atmosferë festive dhe rivalitet të shëndoshë në fushën e lojës.
Për edicionin e parë është paraparë një fond shpërblyes prej 4,000 euro, ku 3,000 euro do t’i takojnë ekipit fitues, ndërsa 1,000 euro ekipit që renditet në vendin e dytë. Gjithashtu, do të ndahen çmime individuale për Lojtarin Më të Mirë dhe Portierin Më të Mirë të turnirit.
Turniri do të zhvillohet me sistemin e lojës 4+1, ndërsa secili ekip mund të ketë maksimumi 8 lojtarë. Pjesëmarrja për ekip është 50 euro.
Këshilli Organizativ vlerëson se përmes këtij aktiviteti do të krijohet një traditë e re sportive në Fortesë, e cila do të shërbejë si pikë takimi për sportdashësit dhe si një formë e nderimit të përhershëm për dëshmorët dhe martirët e fshatit.
Të interesuarit për pjesëmarrje mund të paraqesin ekipet e tyre dhe të marrin informata shtesë përmes numrave kontaktues të organizatorëve: +383 45 599 655, +383 45 102 333 dhe +383 49 250 729.
Organizatorët shprehen se qëllimi i tyre është që ky turnir të mos mbetet vetëm një aktivitet i një viti, por të kthehet në një ngjarje tradicionale sportive, e cila çdo verë do të mbledhë sportdashës nga Rahoveci, Kosova dhe më gjerë, duke ruajtur njëkohësisht kujtimin dhe respektin për ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.