Kampionia në fuqi, Argjentina, është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Botës pas një rikthimi dramatik ndaj Egjiptit, ku protagonisti kryesor ishte Lionel Messi.
“Albicelestët” ishin në disavantazh prej dy golash deri në minutën e 79-të, por arritën të përmbysin gjithçka dhe të triumfojnë 3:2 në përballjen e zhvilluar të martën mbrëma në Atlanta.
Egjipti kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin e Yasser Ibrahim, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje dënimi. Avantazhin e dyfishoi Mostafa Ziko në minutën e 58-të, pas një asistimi nga Mohamed Salah.
Argjentina reagoi në fund të ndeshjes. Në minutën e 79-të, Lionel Messi asistoi për Cristian Romero, i cili me kokë ngushtoi rezultatin në 2:1.
Vetëm katër minuta më vonë, Messi mori përsipër gjithçka dhe barazoi rezultatin në 2:2 me një goditje volej, duke shënuar golin e tij të tetë në gjashtë paraqitje në Kupën e Botës.
Superylli argjentinas kishte mundur të shënonte edhe më herët, por në minutën e 21-të humbi një penallti, ndërsa në minutën e 31-të goditi shtyllën.
Golin e fitores për Argjentinën e shënoi Enzo Fernandez në minutën e 92-të, duke i siguruar kampionëve në fuqi një vend në mesin e tetë skuadrave më të mira të turneut.
Në çerekfinale, Argjentina do të përballet me fituesin e duelit mes Zvicrës dhe Kolumbisë.