Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se pret nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një plan konkret për tejkalimin e ngërçit institucional dhe formimin e institucioneve të reja të vendit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, kjo parti ka bërë të ditur se e trajton me seriozitet çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës, por ka theksuar se përgjegjësia për krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e institucioneve i takon subjektit që ka dalë i pari në zgjedhje.

“Partia Demokratike e Kosovës e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet dhe konsideron se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Reklamë

Nga kjo parti kanë bërë të ditur se kryetari Bedri Hamza do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti, me qëllim që të dëgjojë propozimet për zgjidhjen e situatës aktuale.

“Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale”, thuhet në komunikatë.

PDK ka ritheksuar se pret që Kurti të paraqesë një plan për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.

“Përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme”, ka deklaruar PDK.

Sipas kësaj partie, çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i procesit, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete, e jo nga kalkulimet politike apo bartja e përgjegjësisë te opozita.

Reklamë

“PDK mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të vazhdojë të mbrojë interesin qytetar dhe shtetëror, duke vepruar me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.