Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me formimin e institucioneve të reja, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar të ulet në tryezë.

Kurti ka nisur konsultimet me partitë politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke ftuar në takim liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për mundësitë e krijimit të institucioneve të reja.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka konfirmuar se ftesat u janë dërguar tre liderëve opozitarë.

Reklamë

“Po, sot në mëngjes, kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka thënë Manxhuka.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, duke theksuar se partia e tij do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësi institucionale, por pret propozime konkrete për tejkalimin e situatës.

“Do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër takimeve, por para se të flasim për pozita, është shumë e rëndësishme të diskutojmë për prioritetet, vizionin për të ardhmen, programin dhe mënyrën e adresimit të sfidave që ka Kosova”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka theksuar se PDK nuk e sheh procesin si garë për ndarje postesh.

“Nëse nuk ka dakordim për këto çështje, qëllimi i PDK-së nuk është të sigurojë një numër të caktuar ministrish, postin e kryetarit të Kuvendit, presidentin apo pozita të tjera”, ka thënë Hamza.

Reklamë

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar ftesën për takim me Kurtin, duke bërë të ditur se biseda do të zhvillohet në formatin “1 me 1”.

“Unë sot kam marrë një ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1 me 1. Këtë herë do të takohemi dy me dy. Do t’i përgjigjem pozitivisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se ky është takimi i parë zyrtar mes tyre pas përfundimit të zgjedhjeve dhe se do të zhvillojë bisedime edhe me liderët e tjerë politikë.

“Do të provoj të takohem edhe me të tjerët, për të kuptuar pozicionet e tyre”, ka thënë Abdixhiku.

Reklamë

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim, duke thënë se qëndrimi i Aleancës mbetet oferta e prezantuar më 26 qershor.

“Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, ka shkruar Gjini.

Në përgjigjen zyrtare drejtuar Kurtit, AAK ka theksuar se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit, nëse pranohen gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti.

“Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në përgjigjen e Aleancës.

Reklamë

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues.

LVV ka dalë e para në zgjedhje me 53 mandate, ndërsa PDK ka fituar 22 ulëse, LDK 18 dhe AAK shtatë ulëse në Kuvend.