Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë mbi 2.2 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), përmes një mbledhjeje elektronike të zhvilluar të premten.

Sipas njoftimit të Qeverisë, është miratuar kërkesa për alokimin e ndarjeve buxhetore në vlerë prej 2,240,000 eurosh për transmetuesin publik.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumë prej 2,240,000 € për Radio Televizionin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Vendimi vjen në kohën kur punëtorët e RTK-së ende nuk kanë pranuar pagën e muajit qershor dhe kanë paralajmëruar protestë për 13 korrik, duke kërkuar zgjidhje për situatën financiare në institucion.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë ka miratuar edhe kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në vlerë prej 48,216.57 eurosh, të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore “Magjistrala”.