Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nxjerrë një urdhëresë urgjente për menaxhimin e mbeturinave, duke u dhënë komunave afat prej shtatë ditësh për zbatimin e masave dhe raportimin e tyre.
Sipas Pacollit, vendimi vjen si reagim ndaj situatës së krijuar me temperaturat e larta të verës, stërmbushjen e kontejnerëve dhe rrezikut për shëndetin publik nga mbeturinat, brejtësit dhe insektet.
Ajo ka bërë të ditur se nuk do të lejohet më stërmbushja e kontejnerëve pranë çerdheve, shkollave, parqeve dhe këndeve të lojërave, ndërsa ndalohet edhe grumbullimi i pakontrolluar i mbeturinave në rrugët me frekuentim të lartë, veçanërisht nga bizneset e gastronomisë, furrat e bukës, marketet dhe subjektet që përpunojnë apo shesin ushqim.
“Kemi urdhëruar pastrim, dezinfektim dhe deratizim urgjent të të gjitha hapësirave ku hidhen mbeturinat, për të shmangur çdo rrezik infeksioni apo epidemie”, ka shkruar Pacolli.
Ajo shtoi se është urdhëruar edhe rritja e menjëhershme e frekuencës së zbrazjes së kontejnerëve, si dhe vendosja e kapakëve funksionalë në secilin prej tyre.
“Menaxhimi i mbeturinave është detyrë ekskluzive e komunave. Ato kanë saktësisht shtatë ditë kohë për të vepruar dhe për të na raportuar dëshmitë e punës. Nuk do të pranojmë asnjë justifikim. Moszbatimi i kësaj urdhërese do të pasohet me inspektime të pandërprera në terren dhe gjoba maksimale”, ka theksuar ajo.
Pacolli ka paralajmëruar gjithashtu se komunat që nuk respektojnë urdhëresën dhe dështojnë të mbrojnë shëndetin e qytetarëve do të përjashtohen nga mbështetja financiare dhe grantet e ministrisë.
“Shëndeti i qytetarëve tanë dhe një mjedis i pastër e i sigurt nuk kanë kompromis”, ka përfunduar ajo.