Ish gazetarja e njohur, Qendresa Fazliu është emëruar Zëvendëskonsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Milano, Itali.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Fazliu përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se, pas gjashtë vitesh angazhim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme në Milano.

Fazliu vjen në diplomaci me një përvojë të gjatë në gazetari.

Reklamë

Për vite me radhë ajo ka raportuar për zhvillimet politike në vend, duke ndërtuar një karrierë në disa prej mediave të njohura në Kosovë.

Ajo ka punuar në mediume të ndryshme në Kosovë.

Në vitin 2020, ajo iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku për gjashtë vjet kontribuoi në avancimin e diplomacisë së Republikës së Kosovës, me angazhim të veçantë në komunikimin publik, diplomacinë publike dhe promovimin e politikës së jashtme të vendit.

Gjatë kësaj periudhe, Fazliu ishte e përfshirë në organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve të nivelit të lartë diplomatik, konferencave ndërkombëtare, vizitave zyrtare, forumeve rajonale dhe nismave të ndryshme për promovimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo gjithashtu kontribuoi në hartimin e komunikimeve zyrtare, strategjive të komunikimit institucional dhe promovimin e imazhit të Kosovës përmes diplomacisë publike.

Reklamë

Me emërimin si Zëvendëskonsulle e Përgjithshme në Milano, Fazliu do të vazhdojë angazhimin e saj në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve me Italinë, ofrimin e shërbimeve konsullore dhe përfaqësimin e interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.