Një person dyshohet se është plagosur mbrëmjen e së hënës si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë, së bashku me njësitë përkatëse.

“Dy prokurorë janë në vendin e ngjarjes, së bashku me të gjitha njësitë relevante. Dyshohet për të shtëna me armë zjarri në Pejë. Si pasojë e të shtënave, një person është plagosur”, ka deklaruar Nikçi.

Reklamë

Ndërkohë, mediat lokale kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, duke raportuar se incidenti ka ndodhur në lagjen “Milet Bahçe” në Pejë.

Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet.