Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se në selinë qendrore të partisë janë dorëzuar 148 nënshkrime të delegatëve të Kuvendit të LDK-së për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Abdixhiku ka thënë se, në respektim të Statutit të partisë dhe vullnetit të një të tretës së delegatëve, ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të nisë procedurat për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Nisma e dorëzuar bën thirrje për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së dhe për shkarkimin tim nga detyra e kryetarit të LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se deri në përfundimin e këtij procesi do t’i ndërpresë angazhimet që lidhen me formimin e institucioneve të reja.
“Për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, ka thënë ai.
Sipas Abdixhikut, nuk do të ishte e përgjegjshme që të vazhdonte të negocionte në emër të LDK-së, në një kohë kur mandati i tij për të udhëhequr dhe përfaqësuar partinë është vënë në diskutim nga brenda saj.
“Nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për ta udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se kjo nismë vjen në një moment të ndjeshëm për partinë dhe vendin, duke e cilësuar si një proces që mund të dëmtojë LDK-në dhe të ndikojë në procesin e krijimit të institucioneve.