Një person është plagosur të martën mbrëma në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, në një rast që dyshohet se ka ndodhur me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën online Reporteri.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Sipas tij, rreth orës 21:00, Policia ka pranuar informatën për një plagosje dhe njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Sipas informacioneve fillestare, një person ka mbetur i lënduar, që dyshohet të jetë plagosur me armë zjarri. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, ka deklaruar Pllana.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.