Sekretari Organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka konfirmuar se LDK-ja do të mbajë një takim pas zhvillimeve të fundit me dorëzimin e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë për shkarkimin e kryetarit aktual Lumir Abdixhiku.
“Po, po e kemi një takim”, tha shkurt ai për Ekonomia Online teksa ishte duke hyrë në zyret e partisë, duke mos dhënë më shumë detaje.
Në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike, ditëne djeshme janë dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.
Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Orë më vonë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se detyrohet që të ndërpresë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se ka autorizuar sekretariatin e partisë që të nisë procedurat për mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm partiak, pasi gjatë ditës 148 delegatë të Kuvendit të LDK-së dorëzuan nënshkrimet për mbajtjen e tij me kërkesën për shkarkimin e kreut partiak.
Pas verifikimit të nënshkrimeve, Abdixhiku tha se do të cakohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit./Reporteri.net/