Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar rregulla të reja që kufizojnë kohëzgjatjen e vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe gazetarët ndërkombëtarë, në kuadër të politikës së saj për forcimin e kontrollit ndaj emigracionit.

Sipas rregullores përfundimtare të publikuar nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS), vizat F për studentët, vizat J për programet e shkëmbimit dhe vizat I për gazetarët nuk do të jenë më të vlefshme për të gjithë periudhën e studimeve apo angazhimit në SHBA, por do të kenë një afat të caktuar.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, me kusht që të kalojë procesin e shqyrtimit në Kongres.

Reklamë

Sipas ndryshimeve të reja, vizat për studentët dhe pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit do të kenë një vlefshmëri maksimale prej katër vitesh. Ndërkohë, vizat për gazetarët e huaj do të kufizohen në 240 ditë, ndërsa për shtetasit kinezë në vetëm 90 ditë, raportoi Reuters.

Megjithatë, mbajtësit e këtyre vizave do të kenë mundësi të kërkojnë zgjatjen e qëndrimit përmes një aplikimi pranë DHS.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare e arsyeton vendimin me rritjen e ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj në SHBA. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 u regjistruan mbi 1.8 milion hyrje me viza studentore, mbi 11 për qind më shumë se një vit më parë.

Po ashtu, gjatë vitit fiskal 2024, SHBA lëshoi viza për më shumë se 500 mijë pjesëmarrës në programe shkëmbimi dhe për 37.300 gazetarë të huaj.

Sipas DHS-së, shtimi i numrit të vizitorëve e ka bërë më të vështirë monitorimin e tyre dhe janë evidentuar raste të studentëve dhe pjesëmarrësve në programe shkëmbimi që kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara për dekada me të njëjtin status.

Reklamë

Me rregullat e reja, personat që dëshirojnë të vazhdojnë qëndrimin në SHBA pas skadimit të afatit të vizës do të duhet të aplikojnë për zgjatjen e saj ose të largohen nga vendi dhe të hyjnë sërish me një vizë të re.