Antero Alfarela Oliveira Lopes është emëruar shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Sipas njoftimit të EULEX-it, Këshilli i Bashkimit Evropian e ka emëruar Lopes më 15 korrik 2026 në këtë pozitë, me mandat fillestar prej 10 muajsh, i cili nis më 10 gusht 2026. Ai do të pasojë në këtë detyrë Giovanni Pietro Barbanon.

Në njoftim thuhet se Lopes është një drejtues i lartë portugez me përvojë të gjerë ndërkombëtare në fushën e diplomacisë, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së sektorit të sigurisë.

Reklamë

Ai ka më shumë se katër dekada përvojë profesionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë mbi 25 vjet angazhim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë karrierës së tij, Lopes ka shërbyer edhe në Forcën Mbrojtëse të OKB-së në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë (UNPROFOR), si dhe për gjashtë vjet në Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Përvoja e tij përfshin udhëheqjen strategjike, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin me institucione vendore e partnerë ndërkombëtarë.

EULEX-i, sipas mandatit aktual, vazhdon të kryejë aktivitete të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ndërsa ka edhe kompetenca të kufizuara ekzekutive përmes Njësisë së Formuar Policore (FPU).

Reklamë

Misioni i BE-së gjithashtu vazhdon mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe ofron asistencë teknike për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në qershor të vitit 2025, Këshilli i BE-së vendosi zgjatjen e mandatit të EULEX Kosovës edhe për dy vite, deri më 14 qershor 2027.