Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë dy veprime konkrete ndaj ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, pasi ajo deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte kryer “spastrimin etnik të Kosovës” në vitin 1998, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Fillimisht, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se e ka shpallur Paunoviqin “persona non grata”, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Kosovës.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović e kam shpallur person non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Reklamë

Ai shtoi se deklarata të tilla përfaqësojnë vazhdimësinë e një ideologjie që ka prodhuar krime dhe spastrime etnike.

“Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, bëri të ditur se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres serbe dhe i është drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Kam kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, ka njoftuar Gërvalla.

Reklamë

Sipas saj, deklarata të tilla nuk mund të konsiderohen retorikë e zakonshme politike.

“Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka theksuar Gërvalla.

Deklarata e Paunoviqit ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërsa institucionet kanë bërë të qartë se do t’i përgjigjen me masa ligjore dhe institucionale çdo deklarate që nxit urrejtje ose glorifikon krimet e luftës.