Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar në profilin e tij në facebook, teksa partia e tij po bën përgatitjet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm në të cilin do të vendoset për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku.

Haziri ka thënë se LDK është partia e idealistëve dhe se idealistët janë anëtarësia e partisë.

Ai është marrë edhe me dy partitë e tjera, PDK-në dhe Vetëvendosjen.

Reklamë

Sipas Hazirit, PDK janë parti e kryengritësve dhe Vetëvendosje e të pakënaqurve.

“LDK ju takon idealistave. Idealistat janë anëtarësia!

Në Kosovë, historia na ka mësu që LDK është parti e idealistave, PDK është parti e kryengritësve dhe VV është parti e të pakënaqunve.

LDK ju takon idealistave e idealistat e saj janë anëtarësia. Jo funksionarët. Koha t’i kthehemi idealistave!”, ka shkruar Haziri.

Reklamë

Kujtojmë se në LDK tashmë janë dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se ka autorizuar sekretariatin e partisë që të nisë procedurat për mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm partiak, pasi 48 delegatë të Kuvendit të LDK-së dorëzuan nënshkrimet për mbajtjen e tij me kërkesën për shkarkimin e kreut partiak.

Pas verifikimit të nënshkrimeve, Abdixhiku tha se do të cakohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit./Reporteri.net/

Reklamë