Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pas thirrjes së Kuvendit të partisë, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për të ardhmen e LDK-së dhe të Kosovës.

Përmes një postimi, Gashi ka theksuar se për ta ndryshuar Kosovën, fillimisht duhet të përcaktohet qartë identiteti i LDK-së.

“Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në”, ka shkruar ai.

Reklamë

Sipas Gashit, Kuvendi që do të mbahet të enjten në ora 18:00 nuk është vetëm një mbledhje statutare, por një moment kur vendoset drejtimi politik i LDK-së.

“Të enjten, në ora 18:00, Kuvendi i LDK-së nuk është thjesht një mbledhje statutare. Është momenti kur vendoset drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bashkë me të edhe drejtimi që mund t’i ofrojmë Kosovës në vitet që vijnë”, është shprehur ai.

Ai ka bërë thirrje që në këtë proces të mbizotërojnë arsyeja, vizioni dhe vlerat, duke theksuar se vendimet që do të merren do të kenë ndikim afatgjatë.

“Ky është çasti kur duhet të mbizotërojnë arsyeja mbi emocionin, ideali mbi interesin e ngushtë dhe vizioni mbi kalkulimet afatshkurtra. Këtu vendosen themelet e LDK-së së së ardhmes: një LDK me identitet të qartë, me lidership të fortë, me vlera të palëkundura dhe me guxim për të udhëhequr”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka shtuar se vendimet e Kuvendit do të ndikojnë në mënyrën se si LDK-ja do ta bëjë politikën dhe do t’u shërbejë qytetarëve.

Reklamë

“Vendimet që merren të enjten nuk janë vetëm për sot. Ato do të përcaktojnë mënyrën se si do ta bëjmë politikën, si do t’u shërbejmë qytetarëve dhe si do ta ndërtojmë besimin e ri te LDK-ja.”

Në fund, deputeti i zgjedhur ka theksuar se Kosova ka nevojë për një LDK të fortë.

“Kosova ka nevojë për një LDK të fortë. Dhe një LDK e fortë fillon me vendime të drejta, të mençura dhe largpamëse. E ardhmja nuk pret. Është koha ta ndërtojmë”, ka përfunduar Gashi.

Reklamë