Policia e Kosovës ka ekstraduar të dielën një shtetas të Danimarkës, i cili kërkohej nga autoritetet daneze për disa vepra të rënda penale.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 27 korrik përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, në koordinim me institucionet e drejtësisë dhe njësitë relevante policore.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, sot me datë 27.07.2026 përmes Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ka bërë ekstradimin e një shtetasi të Danimarkës nga Kosova për në Danimarkë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Reklamë

Policia bën të ditur se i dyshuari ishte arrestuar në Kosovë pasi kërkohej nga INTERPOL-i me letër rreshtim ndërkombëtar.

“I dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë daneze, për veprat penale ‘Vrasje’, ‘Mbajtja e armëve të zjarrit në rrethana veçanërisht rënduese’ dhe ‘Zjarrvënie'”, thuhet më tej.

Sipas Policisë, procedura e ekstradimit është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze.

“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Danimarkës”, thekson njoftimi.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për luftimin e kriminalitetit.

Reklamë

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në fund të njoftimit.