×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Sulm me thikë në Paris, plagosen tri gra

    Reporteri
    27 Korrik 2026 | 16:52

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Parisin, këtë të hënë, 27 korrik, ku një person ka plagosur me thikë tri gra pranë zonës Porte de Clichy. Autori i dyshuar është arrestuar nga policia franceze, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Laurent Nunez.

    Sipas autoriteteve, agresori përdori dy thika kuzhine dhe sulmoi gratë, të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç. Dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

    Pamjet e publikuara në rrjetin social X dhe të verifikuara nga Reuters tregojnë një burrë me flokë të gjatë të zinj, i veshur me një kostum sportiv ngjyrë kremi, duke mbajtur nga një thikë në secilën dorë dhe duke tentuar të sulmojë një vajzë të re. Ende nuk dihet nëse ajo ka pësuar lëndime.

    Në një tjetër pjesë të videos shihet i njëjti person i shtrirë në tokë, i neutralizuar nga disa kalimtarë, ndërsa dy thikat ndodhen pranë tij në një vendkalim për këmbësorë.

    Gjatë ndalimit, i dyshuari ka deklaruar: “Është Allahu ai që më urdhëroi”. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

    Ministri Nunez konfirmoi se agresori u ndalua nga një efektiv policie jashtë shërbimit, të cilin e vlerësoi për “veprimin e guximshëm”.

    Sipas ministrit, identiteti i autorit ende nuk është verifikuar plotësisht, ndërsa deklaratat e tij gjatë arrestimit janë cilësuar si “jo koherente”.

    Prokuroria Kombëtare Antiterroriste e Francës po shqyrton nëse rasti do të hetohet si një akt terrorist.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!