Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.M., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një linjë autobusësh.
“I pandehuri me inicialet S.M., pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij, e më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga i dëmtuari V.S., ku pasagjerë ishin edhe të dëmtuarit F.K. dhe H.K.”, thuhet në aktakuzë sipas Prokurorisë.
Nga të shtënat, sipas Prokurorisë, janë dëmtuar disa pjesë të autobusit, ndërsa të pranishmit kanë qenë të rrezikuar për jetën.
“Nga të shtënat janë goditur disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e të dëmtuarve. Megjithatë, fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se arma automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, është sekuestruar në vendin e ngjarjes.
“I pandehuri S.M. ka poseduar pa autorizim armën automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Arma dhe municioni janë sekuestruar në vendin e ngjarjes”, thuhet më tej.
Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon S.M. për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.