Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar në prag të Kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie, duke thënë se ai është thirrur për shkak të pakënaqësisë me rezultatet e fundit zgjedhore dhe nevojës për rimëkëmbjen e LDK-së.
Hoti ka thënë se ky mekanizëm është paraparë në statut për të mundësuar kontrollin demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të partisë.
“Të enjten mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së me kërkesën e delegatëve. Ideologët e LDK-së, duke ndjekur praktikat e partive simotra të LDK-së në vendet e Bashkimit Evropian, e kanë paraparë këtë mekanizëm statutar për ushtrimin e kontrollit demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të LDK-së”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, thirrja e Kuvendit ka ardhur pas humbjeve në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
“Kuvendi i LDK-së është thirrur pasi nuk pajtohemi me humbjen në tri palë zgjedhjeve parlamentare dhe me humbjen e dy komunave në zgjedhjet lokale. Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta”, ka deklaruar ai.
Hoti ka kritikuar qasjen e udhëheqjes aktuale të LDK-së, duke thënë se partisë i duhet një analizë e thellë dhe ndryshim.
“Një LDK që e ul kokën përballë këtyre humbjeve nuk i shërben Kosovës. Një LDK e tillë mund të jetë vetëm në interes të kundërshtarëve politikë”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se Kuvendi nuk është thirrur kundër ndonjë personi, por për të ndërtuar një LDK më të fuqishme.
“Kuvendi nuk është thirrur kundër askujt, por është thirrur për shkak se duam një LDK të fortë për betejat politike në mbrojtje të interesit të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Duke folur për të ardhmen e partisë, ish-kryeministri ka bërë të ditur se lidershipi i ri i LDK-së duhet të dalë nga një proces zgjedhor brenda partisë.
“Lidershipi i ri i LDK-së nuk mund të paracaktohet nga askush, as nga grupet jashtë LDK-së, as nga dëshirat e preferencat brenda LDK-së”, ka shkruar ai.
Sipas Hotit, zgjedhjet e brendshme duhet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse.
“Lidershipi i ri i LDK-së do të jetë rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme në LDK, të cilat do të zhvillohen sipas Statutit dhe rregulloreve të LDK-së”, ka deklaruar Hoti.