Një 26-vjeçar ka vdekur dhe një 18-vjeçar ka mbetur i lënduar pas rrëzimit të një vinçi në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë.

Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar Policia e Kosovës, ndërsa më pas është bërë e ditur se viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe vdekja e tij është konstatuar në QKUK.

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se vinçi ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi aksidenti dhe i përkiste kompanisë “Vëllezërit Asllani”. Sipas Inspektoratit, pajisja nuk ishte inspektuar më parë, pasi punimet në atë lokacion ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.

Reklamë

“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka bërë të ditur Inspektorati.

Pas aksidentit kanë reaguar edhe institucionet lokale. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka kërkuar që siguria në vendet e punës të jetë prioritet.

“Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte”, ka deklaruar Rama.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se në operacionin e reagimit janë përfshirë ekipet e zjarrfikësve, policisë, urgjencës mjekësore dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, duke vlerësuar profesionalizmin e tyre.

Reklamë

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kërkuar llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës, duke thënë se përgjegjësia për mbikëqyrjen e sigurisë bie mbi institucionet përgjegjëse lokale.

“Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar Pacolli.

Reklamë

Rrethanat e aksidentit po hetohen nga njësitet relevante policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndërsa priten edhe ekspertizat për të përcaktuar shkakun e rrëzimit të vinçit dhe përgjegjësitë eventuale./Reporteri.net/