Ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ka deklaruar se Franca mbetet e përkushtuar në mbështetjen e perspektivës evropiane të Kosovës dhe zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në një intervistë për RTK-në pas vizitës së tij në Kosovë, Haddad ka thënë se mesazhi i tij ishte një mesazh miqësie dhe partneriteti, duke rikujtuar mbështetjen franceze për Kosovën që nga viti 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

“Mesazhi që solla në Kosovë është një mesazh miqësie. Kombet tona kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës që nga fillimi. Ne ishim këtu në vitin 1999 dhe ishim këtu edhe në vitin 2008 për të mbështetur, që në fazat e para, pavarësinë e Kosovës. Tani po përgatitemi së bashku për të ardhmen e Evropës”, ka deklaruar Haddad.

Reklamë

Ai ka përmendur pesë marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së tij me Qeverinë e Kosovës, të cilat sipas tij përfshijnë fusha si drejtësia, kultura, arsimi dhe promovimi i gjuhës frënge.

Haddad ka theksuar se Franca do ta mbështesë Kosovën edhe në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke përmendur një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për rinovimin e infrastrukturës sportive dhe rinore.

“Kjo i shtohet një programi tjetër zhvillimor prej 80 milionë eurosh nga e njëjta agjenci, i cili mbështet tranzicionin energjetik. Këto marrëveshje hapin rrugën për projekte edhe më ambicioze në muajt që vijnë”, ka thënë ai.

Duke folur për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ministri francez ka thënë se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e kontinentit, por ka theksuar se procesi bazohet në meritë.

“Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze”, ka deklaruar Haddad.

Reklamë

Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.

“Ky proces do të ecë përpara përmes zbatimit të marrëveshjeve, siç është Marrëveshja e Brukselit, në të cilën kemi punuar dhe për zbatimin e së cilës jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën”, ka shtuar ai.

Ministri francez ka folur edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke vlerësuar rolin e KFOR-it dhe kontributin e Francës në këtë mision.

“Fatmirësisht situata e sigurisë është e qetë, por duhet të mbetemi gjithmonë vigjilentë. Pikërisht për këtë arsye angazhimi ynë në KFOR dhe për sigurinë e rajonit vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm”, ka thënë Haddad.

Reklamë

Ai ka deklaruar se Franca pret rritje të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, duke përmendur sektorë si teknologjia, inteligjenca artificiale, tranzicioni energjetik, kultura dhe arsimi.

“Kosova po zhvillohet me ritme të shpejta dhe kjo krijon mundësi të reja edhe për kompanitë franceze”, ka thënë ai.

Haddad ka përmendur edhe praninë e kompanive franceze në Kosovë, duke veçuar markat si Decathlon dhe Carrefour, ndërsa ka vlerësuar se Lojërat Mesdhetare 2030 paraqesin një mundësi të madhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.