Është zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) seanca e radhës gjyqësore në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit.

Gjatë kësaj seance, një nga zhvillimet e para ka qenë shqyrtimi i kërkesës me shkrim të dorëzuar nga Ilir Meta, i cili ka kërkuar të qëndrojë jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të procesit.

Megjithatë, GJKKO e ka rrëzuar menjëherë këtë kërkesë, me arsyetimin se ajo është shqyrtuar më parë dhe ka marrë tashmë një vendim përfundimtar nga gjykata.

Seanca e sotme vjen pas pretendimeve të ngritura nga pala mbrojtëse në seancën e kaluar.

Kërkesa e Monika Kryemadhit

Kryemadhi ka kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së akteve hetimore dhe të sekuestrimit të aparatit të saj celular.

Sipas mbrojtjes së saj, për këtë veprim hetimor duhej të ishte marrë më parë leje në Kuvend, për shkak të statusit të saj si deputete në kohën kur është kryer sekuestrimi.

Organi i akuzës (SPAK) pritet të shprehet sot me qëndrimin e tij zyrtar lidhur me këto kërkesa.

Kërkesa e Ilir Metës

Nga ana e tij, Meta ka kërkuar gjithashtu pavlefshmëri të akteve hetimore. Mbrojtja e tij ka kontestuar komunikimet e marra nga celulari i biznesmenit Kastriot Ismailaj, ku përfshihet episodi i mesazhit me tekst “nesër më duhen patjetër 200 mijë”.

Sipas Metës, këto komunikime nuk mund të përdoren si provë, pasi nuk është vërtetuar asnjëherë se ish-presidenti ka qenë dërguesi i atij mesazhi.

Procesi gjyqësor vijon me dëgjimin e palëve dhe pritet të hedhë dritë të mëtejshme mbi provat dhe pretendimet e ngritura nga të pandehurit dhe prokuroria.