Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka nisur të mërkurën vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit, von der Leyen ka përcjellë një mesazh optimist për rrugën evropiane të Shqipërisë, duke vlerësuar angazhimin e vendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ajo ka thënë se kryeministri Rama po punon fort për ta shndërruar në realitet aspiratën evropiane të Shqipërisë.
“Jam e lumtur ta nis turneun tim në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria. I dashur Edi Rama, po punoni fort për ta shndërruar ëndrrën evropiane të Shqipërisë në realitet”, ka shkruar von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar gjithashtu rëndësinë e reformave që Shqipëria po zbaton, duke veçuar veçanërisht sektorët e drejtësisë dhe mjedisit.
“Përqendrimi te reformat, nga drejtësia te mjedisi, është thelbësor”, ka deklaruar ajo.
Von der Leyen ka nënvizuar edhe nevojën për një dialog të vazhdueshëm me shoqërinë, duke e lidhur këtë me synimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“Duke ruajtur njëkohësisht një dialog të fortë me shoqërinë. Qëllimi është në horizont. Kështu do ta arrijmë”, ka përfunduar ajo.
Vizita në Shqipëri është pjesë e turneut të von der Leyen në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ajo pritet të diskutojë me liderët e rajonit për procesin e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme për avancimin drejt BE-së.
Glad to start my tour of the Western Balkans in Albania.
Dear @ediramaal, you are working hard to turn Albania’s European dream into reality.
Focus on reforms, from justice to the environment, is key.
While maintaining a strong dialogue with society.
The goal is in sight. This is how we will reach it.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) September 30, 2026