×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Plagët e padukshme që kërkojnë “një ushtri psikologësh” në Venezuelë

    Reporteri
    29 Korrik 2026 | 16:23

    Copëza betoni që mbulojnë rrugët. Disa lule mbi një altar të improvizuar. Kudo një erë e fortë dhe e athët, e vështirë për t’u harruar.

    Në rrugët e La Guairas, “zona zero” e tërmetit të dyfishtë që më 24 qershor shkatërroi Venezuelën, koha duket sikur është ndalur. Por rrënojat nuk janë më vetëm ato prej betoni. Ka edhe të tjera, që po shkaktojnë gjithnjë e më shumë shqetësim. Janë plagët e padukshme, ato që kanë mbetur në mendjen e mijëra të mbijetuarve që kanë humbur fëmijë, miq, prindër, familjarë, shtëpinë ose thjesht sigurinë dhe shpresën.

    Literatura shkencore përcakton afërsisht një muaj pas një ngjarjeje shumë traumatike si fillimin e procesit të zisë, pikërisht atëherë mendja fillon të japë llogari.

    “Në javët e para, sistemi nervor ishte në gjendje shoku përballë përmasave të tragjedisë dhe funksiononte në ‘modalitetin e mbijetesës. Tani truri fillon të përpunojë atë që ka ndodhur dhe të ndërgjegjësohet për të”, shpjegon Siboney Perez, presidente e organizatës joqeveritare Psikologë pa Kufij.

    Sipas një sondazhi të realizuar nga Universiteti Andrés Bello, një në tre venezuelianë paraqet simptoma ankthi, depresioni ose stresi post-traumatik.

    Një emergjencë e re

    Një muaj pas tërmetit, me solidaritetin ndërkombëtar dhe vëmendjen e mediave që tashmë janë vetëm një kujtim i zbehur, nis një emergjencë e dytë: ajo psikologjike. Një cunami që duket se po përmbyt një sistem shëndetësor që ishte tashmë në kolaps para tërmetit.

    “Këtu do të nevojitej një ushtri psikologësh”, pëshpërit Dannj Socorro, drejtor i shkollës së psikologjisë në Universitetin Andrés Bello.

    “Rreziku është që zia dhe dhimbja e papërpunuar të kthehen në një traumë kronike. Ne i shoqërojmë njerëzit për t’u përpjekur që ata të fillojnë një jetë të re, duke nxjerrë në pah të gjitha ato gjëra që ende ekzistojnë”, shton Clara Astorga, presidente e Federatës së Psikologëve.

    Frika nga vetëvrasjet

    Është falë angazhimit të psikologëve dhe psikiatërve vullnetarë të organizatave joqeveritare dhe shoqatave humanitare që po tentohet t’i përgjigjet kësaj emergjence.

    Shumë njerëz ndodhen pranë humnerës, me tundimin për t’u dorëzuar. Ekspertët janë të shqetësuar për një rritje të mundshme të vetëvrasjeve.

    Venezuela nuk ka pasur kurrë një regjistër zyrtar, por ata që punojnë në terren e dinë se rreziku është real. Dennj Socorro udhëton dy herë në javë nga Karakasi në La Guaira së bashku me dhjetëra vullnetarë, ku viziton çadrat dhe spitalet.

    Në javët e fundit ai ka takuar njerëz të zbrazët emocionalisht, të rraskapitur, të cilët vazhdonin të gërmonin mes rrënojave për të gjetur trupat e familjarëve.

    “Kam folur me një burrë që kishte humbur prindërit dhe katër fëmijët. Më duhet vetëm të gjej trupin e të pestit dhe pastaj do të qëlloj veten në kokë’, më tha duke qarë”, tregon ai.

    Në këtë tragjedi pa precedent mbivendosen disa lloje humbjesh: të miqve, familjarëve dhe shtëpisë.

    “Tek shumë njerëz shfaqet frika nga e ardhmja, e cila shpesh kthehet në dëshpërim . Disa, pasi kanë mbetur vetëm, pyesin veten se çfarë kuptimi ka të vazhdojnë përpara”, thekson Siboney Perez.

    Traumat e grumbulluara

    Shqetësimi i ekspertëve lidhet me atë që në literaturën shkencore përkufizohet si “traumatizim kumulativ”.

    Tërmeti është vetëm i fundit në një seri të gjatë krizash me të cilat venezuelianët janë detyruar të përballen: para së gjithash një nga krizat më të rënda politike dhe ekonomike të të gjithë kontinentit, mes varfërisë dhe manipulimeve zgjedhore.

    Më pas bombardimet e 3 janarit dhe largimi i Maduros. Dhe në fund tërmeti.

    Një “koktej shpërthyes” që ka gërryer gradualisht aftësinë e popullsisë për të reaguar.

    Siç shpjegon Dennj Socorro, shëndeti mendor i venezuelianëve “ishte përkeqësuar prej kohësh. Ka shumë trauma të grumbulluara, njëra mbi tjetrën, që rrezikojnë të kenë pasoja shumë të rënda”.

    Universiteti Andrés Bello ka ngritur një linjë telefonike mbështetjeje që çdo ditë, nga ora 8:00 deri në 17:00, merr qindra telefonata. Për t’iu përgjigjur kërkesave për ndihmë janë angazhuar edhe psikologë vullnetarë venezuelianë që jetojnë jashtë vendit, në Amerikën Latine por edhe në Spanjë.

    Zia “e ngrirë”

    Për shumë njerëz, faza e zisë është një “luks”.

    Janë pothuajse 30 mijë personat e zhdukur, ndërsa bilanci zyrtar i viktimave kalon 5 mijë e 500 persona dhe familjarët e tyre kundërshtojnë shembjet e ndërtesave dhe largimin e rrënojave, sepse shpresojnë të gjejnë trupat, t’u japin atyre një varrim të denjë dhe të kenë një vend ku të vendosin një lule.

    “Pa një trup, procesi i zisë mbetet në një gjendje pezull, si i ngrirë, dhe trauma rrezikon të bëhet e përhershme”, thekson Siboney Perez.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!