Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve M.J. dhe M.B., të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
“Të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ nga neni 142, lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë e domosdoshme, pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lihen në liri, të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se, duke pasur parasysh se të dyshuarit janë shtetas të Serbisë, ekziston mundësia që ata të largohen lehtësisht dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, duke penguar zhvillimin e procedurës penale.
Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë nëse mbrohen në liri.
Për këto arsye, Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është e vetmja masë e përshtatshme për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.