Ukraina ka ndërmarrë një seri sulmesh të reja ndaj objektivave ruse, duke fundosur një anije kontejnerësh të lidhur me korporatën shtetërore ruse të energjisë bërthamore, Rosatom, si dhe ka goditur tri rafineri të mëdha të naftës në territorin rus.
Sipas autoriteteve ukrainase, anija FESCO Yanina u sulmua gjatë natës nga dy dronë detarë në ujërat ndërkombëtare, rreth 130 milje detare nga porti rus i Novorossiyskut në Detin e Zi.
Kompania FESCO dhe Rosatom konfirmuan se anija pësoi dëmtime të rënda dhe u fundos, ndërsa ekuipazhi u shpëtua.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se gjatë operacionit u përdorën edhe raketa me rreze të mesme veprimi, të cilat goditën objektiva në zonat e Detit të Zi dhe Detit Azov.
“U godit dhe u fundos anija ruse e kontejnerëve ‘Yanina’, e cila lundronte nën flamurin rus dhe kishte një kapacitet prej mbi 100 mijë tonësh”, tha ai.
Lideri ukrainas shtoi se gjatë natës njësitë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) goditën gjithashtu infrastrukturën e tri rafinerive ruse të naftës në republikën e Bashkortostanit.
Sipas tij, këto impiante përpunojnë miliona tonë naftë në vit dhe konsiderohen me rëndësi strategjike për industrinë energjetike ruse.
Grateful to Ukrainian warriors who are bringing the war back to Russia and responding to its attacks against life. Our targets are consistently defined facilities that sustain the war effort.
Middle strikes were carried out overnight, with successful hits in the Black Sea and… pic.twitter.com/B4q8HMVl0j
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 1, 2026
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende informacion mbi dëmet e shkaktuara në rafineritë e Bashkortostanit, ndërsa pretendimet e palës ukrainase nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/