Një grua ka mbetur me humbje të kujtesës dhe kriza epileptike, ndërsa duhet të marrë 18 tableta në ditë, pasi një pickim nga rriqra gjatë pushimeve në Greqi e la në koma për gati gjashtë javë.
Victoria Stellas, nga Anglesey, pati simptoma të ngjashme me gripin gjatë qëndrimit në ishullin Syros në vitin 2019. Pasi u kthye në shtëpi, ajo filloi të kishte kriza gjatë natës.
Ajo u dërgua në spital, por “askush nuk e dinte se çfarë kishte”. Pas një rezonance magnetike, u transportua me helikopter në Qendrën Walton në Liverpool, ku u vendos në koma të induktuar për 42 ditë.
Më pas, Victoria u diagnostikua me encefalit të shkaktuar nga rriqrat (TBE), një inflamacion i trurit që mund të jetë fatal.
“Ma ka ndryshuar jetën plotësisht. Përveç punës, nuk dal më aq shpesh”, tha 51-vjeçarja, raporton BBC.
Victoria, nënë e një fëmije, beson se u pickua nga rriqra në shtëpinë e kunatit të saj, i cili mban dhi që mund të tërheqin rriqrat.
“Ato kriza vazhdonin dhe askush nuk e dinte se çfarë kisha. Ishte një infeksion i pazakontë dhe mendoj se nuk kishin ekspertët e duhur për ta diagnostikuar”, tha ajo.
“Në total, kaluan rreth gjashtë muaj nga shtrimi në spital deri te trajtimi pasues.”
“Ndonjëherë thjesht rri e heshtur. Më parë isha shumë e shoqërueshme.”
Victoria tha se humbi punën në një lokal dhe më pas edhe punën si asistente mësimore në një shkollë për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore dhe aftësi të kufizuara për shkak të simptomave.
“A më tregon një punë që nuk kërkon kujtesë? Gjithçka që bën në jetë kërkon kujtesë. Blerjet, puna, udhëtimet.”
“Kur u ktheva në punë si asistente mësimore, nuk mund t’i mbaja mend emrat e fëmijëve në klasat e ndryshme dhe as të stafit.”
“I njihja të gjithë me fytyrë, por jo emrat dhe kjo vazhdon të jetë problem edhe sot.”
Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë (NHS), encefaliti i shkaktuar nga rriqrat është një infeksion viral që transmetohet përmes pickimit të rriqrave që gjenden në Evropë, Rusi dhe pjesë të Kinës e Japonisë.
Rreth një javë pas pickimit, simptomat mund të përfshijnë lodhje, dhimbje koke dhe shenja të një infeksioni, si kriza epileptike, konfuzion, vështirësi në të folur ose humbje të lëvizjes në një pjesë të trupit.
NHS këshillon që personat që planifikojnë të udhëtojnë në vende ku infeksioni është i përhapur duhet të vaksinohen kundër TBE të paktën një muaj para udhëtimit.
Victoria, e lindur dhe rritur në Greqi para se të shpërngulej në Uells në moshën pesëvjeçare, kthehet çdo vit për pushime, por tha se nuk kishte dijeni për vaksinën.
Ajo shpreson të rrisë ndërgjegjësimin për këtë infeksion dhe u bën thirrje njerëzve të vaksinohen kur udhëtojnë në zona me rrezik dhe kalojnë kohë në pyje ose pranë kafshëve.
Një herë në vit, ajo ndan historinë e saj me studentët në Universitetin Bangor.
Victoria tani merr nga 15 deri në 18 tableta në ditë dhe ka krijuar strategji për të kujtuar se si të kryejë detyrat e përditshme.
Krizat e saj gjatë natës tani “nuk janë aq të shpeshta sa dikur”, tha ajo, duke shtuar:
“Tani fle me nënën time.”
“Jam me fat që kam familjen dhe miqtë e mi, të cilët më kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve.”
Nëna e saj, Liz Stellas, tha:
“Duhet të jesh shumë i kujdesshëm me gjëra që duken të padëmshme, por nuk janë.”
“Pickimet nga insektet mund të sjellin ndryshime të thella në jetën tënde. Nuk mendoj se njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë.”