Valon Bela dhe Bekir Halimi, dy shtetasit nga Maqedonia e Veriut që u shpallën non grata nuk do të lejohen të futen në territorin shqiptar për një periudhë 10-vjeçare.

Ndërkohë, siç raportohet për Valon Beljan autoritetet shqiptare kanë lëshuar edhe urdhër dëbimi.

Siç raportohet motivacioni për të cilin dy shtetasit nga Maqedonia e Veriut janë shpallur non grada kanë të bëjnë me vepra ose propagandë kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike.

Reklamë

Po ashtu, në motivacion përmenden edhe dyshime për anëtarësim në organizata terroriste, si dhe përkrahje ose kryerje të veprimeve anarkiste kundër shtetit ligjor.

Bekir Halimi është imam nga Maqedonia e Veriut. Ai ka qenë pjesë e strukturave fetare në këtë shtet, por në vitin 2016 u përjashtua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, pas përplasjeve me drejtuesit e këtij institucioni.

Ndërkohë, Valon (Valjon) Belja njihet si analist politik dhe ish-aktivist politik në Maqedoninë e Veriut. Ai ka komentuar zhvillimet politike në rajon dhe më herët ka ushtruar edhe detyrën e shefit të kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Disa javë më parë, Ministria e Brendshme vendosi të shpallë “non-grata” edhe shtetasen e Kosovës, Ikballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë prej 15 vitesh.

 

Reklamë