Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet sot, derisa ka konfirmuar se diskutimet me VV-në do të vazhdojnë.
Abdixhiku tha se kanë afrime në shumë çështje, megjithatë ende ka dallime për çështjen e balancës demokratike.
“Po përpiqemi vazhdimisht ti shmangim zgjedhjet e reja dhe t’i shpërfaqim bindjet tona, që duhet ta dini që nuk janë të njëjta, duhet kohë dhe diskutime.
Mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Ata që na kritikojnë e se kuptojnë pse po takohemi, na kërkojnë të shkojmë në zgjedhje të reja. Shkuarja në zgjedhje të reja është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Republikës. Do të jemi në takime të vazhdueshme për aq sa mundemi, dhe kur nuk mundemi do të dalim dhe të themi që nuk kemi marrëveshje.
Takimet janë të mira në aspektin e diskutimeve, ka shumë afrime në shumë çështje por ende kemi dallime në një çështje që është balanca demokratike”, tha Abdixhiku para mediave.