Eric P. Wendt është konfirmuar si ambasador në Tiranë me 50 vota pro e 44 kundër në Senatin e Shteteve të Bashkuara, pas mbështetjes së marrë më herët në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Tanimë, pritet vetëm firma e Kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, si hapi i fundit për formalizimin e emërimit të tij si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri.

Wendt është një ish-oficer i lartë i ushtrisë amerikane, me mbi tre dekada shërbim ushtarak, pjesën më të madhe të karrierës së tij në forcat speciale amerikane “Green Beret”.

Reklamë

Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur role të rëndësishme në fushën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.

Wendt do të bëhet ambasadori i parë i SHBA-ve në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që atëherë, ambasada është drejtuar nga të ngarkuarit me punë, ndërsa emërimet e mëvonshme nuk arritën të finalizoheshin.

Mungesa e një ambasadori me kohë të plotë për kaq gjatë është parë nga shumë vëzhgues si një periudhë në të cilën ndikimi i drejtpërdrejtë diplomatik amerikan në politikën shqiptare ka qenë më i kufizuar.

Në këtë kontekst, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak dhe përvojë në strukturat e NATO-s shihet si një sinjal se Washingtoni synon të rrisë angazhimin e tij në Shqipëri.