×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus

    Cakolli: Avni Dehari shkeli Kushtetutën e cenoi rendin kushtetues, afati për seancë ishte sonte deri në 23:59

    Reporteri
    07 Gusht 2026 | 17:58

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka shkelur Kushtetutën duke caktuar vazhdimin e seancës për ditën e shtunë.

    Sipas Cakollit, afati i fundit kushtetues për përfundimin e seancës konstituive ka qenë deri të premten në orën 23:59, ndërsa caktimi i vazhdimit pas këtij afati, sipas tij, përbën cenim të rendit kushtetues.

    “Caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”, ka shkruar Cakolli.

    Ai ka thënë se Dehari ka pasur obligim që vazhdimin e seancës ta caktonte brenda afatit kushtetues, në mënyrë që ajo të mund të përfundonte deri në orën 23:59.

    “Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues”, ka deklaruar Cakolli.

    Sipas tij, përmes këtij vendimi, si dhe për shkak të mosushtrimit të së drejtës për propozim nga ana e LVV-së brenda afatit 30-ditor, deputetëve u është pamundësuar ushtrimi i të drejtave dhe detyrimeve kushtetuese.

    Cakolli ka bërë thirrje që pas mesnatës, të paktën dhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta kontestuar vendimin për vazhdimin e seancës dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së së shtunës para orës 11:00.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!