Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës, ku dyshohet se një person rreth 20 vjeç është vrarë me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është qëlluar me një armë kallashnikov. Autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Viktima raportohet se ishte pjesë e Forcave të Armatosura. Vetëm dy muaj më parë ai kishte lënë detyrën pasi do shkonte tek i vëllai në Angli.

Reklamë

Zv.drejtori i Hetimit të Krimeve, Drejtues Sejfulla Metko, bëri të ditura detajet e para të hetimit, duke konfirmuar se mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte një konflikt të hershëm. Sipas tij, dy të rinjtë njiheshin prej fëmijërisë dhe kishin qenë shokë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në lagjen nr. 15 të Korçës. Sipas Policisë, konflikti kishte nisur më herët mes dy grupeve personash dhe më pas situata është përshkallëzuar pranë banesës së viktimës, ku është përdorur arma e zjarrit.

“Konflikti ka qenë i bartur prej disa kohësh më parë, ka qenë në ndjekje nga ana jonë dhe sot ka precipituar në ngjarjen kriminale”, deklaroi Metko.

Sipas tij, 20-vjeçari është qëlluar me kallashnikov. Në dorën e viktimës është gjetur gjithashtu një thikë, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor si provë materiale.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja. Policia ka marrë dëshmi nga persona që pretendohet se e kanë parë atë duke u larguar në drejtim të varrezave, ndërsa forcat e rendit janë vënë në ndjekje për kapjen e tij.

Reklamë

Deri në këto momente, Policia ka identifikuar një person të dyshuar për vrasjen, ndërsa tre persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konflikt janë shoqëruar në Komisariat për t’iu nënshtruar veprimeve procedurale.