Vizita e fundjavës e Volodymyr Zelenskyyt në Serbi shkaktoi reagime në Ballkan edhe shumë kohë pasi presidenti ukrainas u kthye në Kiev.
Zelenskyy vizitoi të shtunën për herë të parë presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka refuzuar t’i bashkohet regjimit të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe mban marrëdhënie të afërta me Kremlinin. Më pas, ai u përfshi në mosmarrëveshjen më të ndërlikuar të rajonit, duke deklaruar se Ukraina do të vazhdojë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Reagimi i Kosovës ishte i shpejtë, shkruan Politico. Një pankartë gjigante me ngjyrat blu dhe të verdha, me mbishkrimin “Free Ukraine”, e cila qëndronte në rrugën kryesore të Prishtinës që nga viti 2022, u hoq menjëherë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se, ndonëse solidariteti i tij mbetet me “popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim… respekti duhet të jetë i ndërsjellë”.
Që nga vizita e Zelenskyyt, Vuçiq ka kërcënuar se do ta devijojë fizikisht lumin Ibër, i cili rrjedh nga Serbia drejt Kosovës, në shenjë hakmarrjeje ndaj Kosovës për shembjen e shtëpive në pronësi të serbëve përgjatë bregut të rezervuarit. Një veprim i tillë do ta zbrazte rezervuarin që furnizon me ujë një pjesë të madhe të Kosovës dhe siguron kapacitet jetik për ftohjen e termocentralit më të madh të vendit, vazhdon shkrimi.
Përveç kësaj, ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq dhe kryeministri shqiptar Edi Rama shkëmbyen replika në X, ndërsa ky i fundit e akuzoi Serbinë se jeton në “një flluskë politike” dhe mohon faktin se “Serbia e ka humbur Kosovën” shumë kohë më parë.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe deri më tani është njohur nga më shumë se 100 shtete, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së. Ajo është gjithashtu vend potencial kandidat për anëtarësim në BE, pasi dorëzoi aplikimin në dhjetor të vitit 2022.
Statusi i Kosovës ka qenë prej kohësh një nga temat e preferuara të presidentit rus Vladimir Putin, i cili e ka përdorur atë për të justifikuar pushtimin e Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se i ka marrë me “keqardhje” qëndrimet e Zelenskyyt dhe se një retorikë e tillë i ngjan “përpjekjeve të Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent”.
Sa i përket arsyes se pse lideri ukrainas do të përfshihej në një çështje kaq të pazgjidhshme të Ballkanit, kjo ka të ngjarë të lidhet me armatimin, shkruan tutje Politico.
Serbia ende prodhon sasi të konsiderueshme municionesh në kalibrat standardë sovjetikë, të cilat do të ishte e pamundur të siguroheshin nga aleatët perëndimorë të Kievit, pasi ata përdorin standardin e NATO-s. Ukraina vazhdon të përdorë obusë të rëndë dhe tanke të epokës sovjetike, të cilat mbeten të rëndësishme për luftimet në Donbas dhe më gjerë. Dhe pavarësisht qëndrimit pro-rus, Vuçiq është i gatshëm t’ia sigurojë ato Kievit në mënyrë diskrete.
“Ukraina është në një pozitë ku nuk mund të merret me çështje përtej nevojave më të menjëhershme të saj, dhe Vuçiq ka më shumë rëndësi për të”, shpjegoi Florian Bieber, i cili drejton Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit.
Afrimi i Vuçiqit me Zelenskyyn mund të jetë pjesërisht një përpjekje për të zbutur kritikat nga Brukseli. Liderët e BE-së kanë dënuar “shpërthimin e dhunës” gjatë lëvizjes së vazhdueshme të protestave kundër qeverisë dhe “rënien e standardeve demokratike” në Serbi.
“Ai shpreson se do të marrë më pak kritika gjatë muajve të ardhshëm për shkak të marrëdhënieve të tij të afërta, të paktën simbolikisht më të afërta, me Zelenskyyn. Vuçiq po e bën këtë për të fituar ndikim ndaj BE-së përpara zgjedhjeve të mundshme në vend”, vijoi Bieber.
Mbështetësit e Kosovës prej kohësh e kanë paraqitur pavarësinë e saj si një rast të veçantë dhe jo si model për t’u ndjekur. Por rrethanat e shkëputjes së saj nga Serbia mbeten përçarëse, veçanërisht për vende anëtare të BE-së si Spanja dhe Qiproja, të cilat kanë problemet e tyre me separatizmin dhe ende refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Në varësi të anës së kësaj çështjeje që mbështetni, do të keni një këndvështrim të ndryshëm mbi atë se çfarë nënkupton pavarësia e Kosovës për konfliktet e tjera dhe mosmarrëveshjet territoriale në mbarë botën”, tha Bieber.
Oleksandr Lytvynenko, ambasadori i Ukrainës në Serbi, tha në një deklaratë të dërguar me email se vizita e Zelenskyyt në Beograd përfshinte “marrëveshje praktike për mbështetje të ndërsjellë” për integrimin në BE, pasi të dyja vendet janë kandidate për anëtarësim.
Ai këmbënguli se vizita kishte të bënte me thellimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Kievit dhe vuri në dukje se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2008 dhe se është “i palidhur me nevojat e saj aktuale të kohës së luftës”.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian mbetet mënyra më e besueshme për të adresuar kërcënimet afatgjata të sigurisë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e pazgjidhura rajonale”, tha ai.
“Kjo vizitë nuk kishte të bënte me municionet. Ajo kishte të bënte me Evropën. Sa më i madh të jetë angazhimi i Ukrainës në Ballkanin Perëndimor, aq më të mëdha janë perspektivat për stabilitet dhe paqe”, shtoi ai.