Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përsëritur thirrjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmë ushtarake, duke thënë se Ukrainës i duhet vetëm një e dhjeta e rezervave aktuale amerikane për të ndaluar të gjitha sulmet me raketa balistike ruse.
Në një intervistë për CNN, lideri ukrainas tha se numri i interceptorëve për sistemet Patriot, të vetmet që mund të rrëzojnë raketat balistike, është përgjysmuar që nga viti i kaluar.
“Nëse Shtetet e Bashkuara na shesin 5%, ne do të kalojmë dimrin dhe do të shpëtojmë jetë njerëzish. Nëse ata mund të na shesin 10%, ne do të shkatërrojmë të gjitha raketat balistike të rusëve. Ne tani kemi vetëm 1%. Këtë vit kemi dy herë e gjysmë më pak interceptorë sesa kishim në vitin 2025. Rusia ka dy herë më shumë raketa balistike në muaj sesa kishte më parë”, tha Zelenksy.
CNN raporton se ekziston një mungesë globale e raketave për shkak të luftës së Shteteve të Bashkuara me Iranin, ku forcat amerikane dhe shtetet e Gjirit përdorën dhjetëra interceptor për të përballuar sulmet me raketa iraniane.
Volodymyr Zelensky pranoi se kërkesa ndaj Shteteve të Bashkuara për sistemet Patriot ka qenë një nga sfidat më të vështira për të që nga fillimi i luftës.
Presidenti ukrainas tregoi se bën pafund telefonata për të siguruar sa më shumë armatime.
“Kjo është ajo që jetoj çdo ditë: Kam disa muaj kohë dhe miliona telefonata. Mundohem të shkëmbej diçka me raketa. Bëj disa gjëra që as nuk mund t’i tregoj. Kjo nuk do të thotë se është e jashtëligjshme, nuk mund të flas për këtë”, tha Zelensky.
Zelensky gjithashtu hodhi poshtë idenë që Ukraina të lëshojë territorin e mbetur në Donbas, të cilin Rusia e ka kërkuar si një nga kushtet për t’I dhënë fund luftës, duke thënë se garancitë e sigurisë mbeten çelësi për Kievin.
Zelensky shtoi se ishte dakord me disa vlerësime perëndimore se Putini mund të kërkojë të përshkallëzojë luftën kundër NATO-s, ndoshta duke sulmuar shtetet më të vogla baltike të aleancës.