×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Aksidenti tragjik me helikopter në Greqi, çifti britanik vdes në muajin e mjaltit

    Reporteri
    18 Gusht 2026 | 23:38

    Një çift i ri britanik, i cili ndodhej në Greqi për muajin e mjaltit, dhe piloti grek i helikopterit humbën jetën të hënën në një aksident tragjik në ishullin Sifnos.

    Viktimat janë identifikuar si të sapomartuarit Alexander Cromie dhe Marie Ebert, ndërsa personi i tretë që humbi jetën ishte piloti grek. Helikopteri privat, një Bell 206, u rrëzua vetëm pak metra larg një piste uljeje, ndërsa po i afrohej destinacionit. Sipas raportimeve të mediave greke, çifti kishte marrë helikopterin nga fshati Markopoulo, pranë Athinës, me destinacion ishullin e njohur turistik të Sifnos, ku po kalonin muajin e mjaltit.

    Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Autoriteti grek i sigurisë së aviacionit ka njoftuar se hetuesit do të mbërrinin në vendngjarje të martën për të mbledhur prova dhe për të marrë dëshmitë e personave që kanë parë ngjarjen. Një zyrtar i lartë i policisë i tha gazetës The Times se aksidenti ndodhi pak para orës së planifikuar të mbërritjes së helikopterit, rreth orës 18:15 sipas kohës lokale.

    Dëshmitarët në ishull kanë përshkruar momentet e fundit para përplasjes. Zëvendëskryetari i bashkisë së Sifnos, Yiannis Rafeletos, tha se banorët kishin dëgjuar një zhurmë të pazakontë të motorit, ndërsa helikopteri po i afrohej vendit të uljes. Sipas tij, mjeti u rrëzua vetëm pak metra larg banesave.

    Dy prej viktimave u gjetën brenda rrënojave të helikopterit, ndërsa viktima e tretë u gjet pak më larg. Pas përplasjes shpërtheu edhe një zjarr, i cili u vu nën kontroll nga zjarrfikësit gjatë mbrëmjes.

    Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Sifnos. Zëvendëskryetari i bashkisë Manolis Foundoulakis, i cili mbërriti në vendngjarje menjëherë pas aksidentit, tha për mediat lokale se nga helikopteri ishte shkatërruar thuajse plotësisht. Rafeletos u shpreh se banorët e ishullit janë “të shkatërruar” dhe “thellësisht të tronditur” nga tragjedia. “Aq shumë lumturi është kthyer në trishtim”, tha ai, duke iu referuar çiftit që ndodhej në ishull për të festuar martesën e tyre.

    Alexander Cromie punonte në kompaninë e menaxhimit të aseteve Blackstone, e cila e përshkroi atë si një koleg të dashur dhe shprehu ngushëllime për familjen dhe të afërmit e tij. Marie Ebert punonte si specialiste e lartë në kompaninë konsulente Bain & Company.

    Edhe autoritetet britanike kanë reaguar ndaj ngjarjes. Një zëdhënës i Foreign Office tha se mendimet e tyre janë me familjet në këtë moment të vështirë dhe se po ofrohet mbështetje konsullore, ndërsa autoritetet britanike janë në kontakt me autoritetet greke.

    Hetimi pritet të përcaktojë nëse shkaku i aksidentit lidhet me një problem teknik, kushtet e fluturimit apo faktorë të tjerë. Autoritetet kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve për të rindërtuar minutat e fundit të fluturimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!