Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer 103 të burgosur lufte nga secila palë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se midis të liruarve janë ushtarë që luftuan në Mariupol, Donetsk, Luhansk, Kharkiv dhe Kherson.
Ushtarakët e liruar ukrainas u panë duke folur me të afërmit në telefon, duke përqafuar zyrtarë ushtarakë dhe duke marrë flamuj ukrainas pasi u kthyen në vendin e tyre.
Midis të liruarve ishte edhe Anton Tymofienko, i burgosur për 28 muaj.
Ai tha për Reuters se të burgosurit ishin shkëputur nga informacioni nga bota e jashtme dhe i vetmi kontakt që kishin ishin letrat e censuruara që merrnin nga të afërmit.
“Më e shumta që merrnim ishin letra nga të afërmit. Siç e kuptoj unë, kishte kufizime në atë që mund të shkruhej, por vetëm marrja e një letre nga familja ishte një gjë e mirë. Veç letrave që merrnim, nuk kishim informacion. Përpiqeshim të flisnim me të burgosurit e sapo kapur dhe t’i pyesnim se çfarë po ndodhte në botën e jashtme”, tha një i burgosur lufte i liruar.
Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Oleh Ivashchenko, tha se Kievi pret një shkëmbim tjetër të burgosurish para fundit të gushtit, duke përfshirë kthimin e të burgosurve të mbajtur prej kohësh dhe ushtarëve që luftuan në Mariupol.