×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Hetimet për korrupsionin godasin rrethin e ngushtë të Zelenskyt

    Reporteri
    20 Gusht 2026 | 16:34

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkarkuar zëvendësshefen e kabinetit të tij, Iryna Mudra, ndërsa hetuesit kundër korrupsionit kanë nisur një tjetër hetim të madh ndaj personave të afërt me administratën e tij.

    Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë (NABU) dyshon se një grup zyrtarësh dhe biznesmenësh ka ndihmuar në pastrimin e rreth 3 milionë eurove. Paratë dyshohet se ishin përdorur si garanci për lirimin me kusht të një personi të përfshirë në një tjetër hetim për korrupsion.

    Në mesin e personave nën hetim janë një deputet aktual, një ish-deputet, si dhe drejtues të një banke shtetërore, që sipas hetuesve bëhet fjalë për Sense Bank. Rasti i fundit lidhet me një hetim më të madh, të njohur si “Operation Midas”, që ka në qendër kompaninë shtetërore ukrainase të energjisë bërthamore, Energoatom.

    Hetuesit pretendojnë se një grup kriminal kishte ndikuar në aktivitetin e kompanisë dhe kërkonte komisione prej 10 deri në 15% nga kontratat me furnitorët. Sipas NABU, përmes kësaj skeme dyshohet se janë pastruar rreth 85 milionë euro.

    Në këtë hetim janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë ukrainas dhe persona që kanë pasur lidhje të ngushta me Zelenskyn. Një prej emrave më të përmendur është Timur Mindich, mik i vjetër dhe ish-partner biznesi i presidentit ukrainas. Mindich është bashkëpronar i kompanisë së prodhimit televiziv Kvartal 95, të bashkëthemeluar nga Zelensky.

    Ai është shpallur i dyshuar në hetimin “Midas” dhe është larguar nga Ukraina drejt Izraelit në nëntor 2025. Emri i tij është përmendur edhe në një hetim tjetër, ku autoritetet pretendojnë se janë pastruar më shumë se 8.8 milionë euro përmes një projekti luksoz banesash pranë Kievit. Një tjetër emër i rëndësishëm është Andriy Yermak, ish-shefi i kabinetit të Zelenskyt dhe për vite me radhë një nga njerëzit më të fuqishëm pranë presidentit.

    Yermak drejtoi Zyrën e Presidentit nga viti 2020 deri në largimin e tij në vitin 2025. Në maj të këtij viti, NABU dhe prokurorët kundër korrupsionit e shpallën atë të dyshuar në një çështje për pastrim parash. Gjykata vendosi një garanci prej 2.7 milionë eurosh, e cila më pas u pagua. Yermak i ka mohuar akuzat.

    Në hetime të tjera janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së Zelenskyt, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Oleksiy Chernyshov dhe ish-zëvendësshefin e kabinetit Rostyslav Shurma. Hetimet po zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Ukrainën, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Europian. BE-ja i kushton rëndësi të veçantë luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve dhe pavarësisë së drejtësisë në Ukrainë.

    Institucionet europiane kanë theksuar se përparimi në këto fusha do të ndikojë drejtpërdrejt në ritmin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Për Zelenskyn, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë politikisht. Ish-shefi i kabinetit të tij, ish-zyrtarë të tjerë të lartë, miq dhe ish-bashkëpunëtorë të tij janë përfshirë në disa prej hetimeve më të mëdha për korrupsion në vend.

    Megjithatë, vetë Volodymyr Zelensky nuk është shpallur i dyshuar në asnjërin prej këtyre hetimeve. Për një president që erdhi në pushtet në vitin 2019 me premtimin për t’i dhënë fund korrupsionit në politikën ukrainase, përfshirja e kaq shumë personave të afërt me të po kthehet në një kosto të madhe politike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!