Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar për situatën e zjarreve në vend, ku deri në orën 17:00 të 21 gushtit janë regjistruar 24 vatra zjarri.

Sipas ministrisë, tetë vatra janë aktive, katër janë nën mbikëqyrje dhe një nën kontroll.

Situata më kritike paraqitet në Gojan të Madh të Pukës, ku zjarri është afruar pranë banesave. Deri tani janë djegur katër shtëpi të pabanuara, ndërsa një banesë e banuar që ishte rrezikuar është shpëtuar.

Reklamë

Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga helikopterët e Forcave të Armatosura.

Situatë problematike raportohet edhe në Shtanë të Mirditës, ku për shkak të përhapjes së flakëve dhe rrezikut për banesat, Policia e Shtetit ka evakuuar banorët e rrezikuar. Në zonë është vendosur edhe një ambulancë.

Zjarret vijojnë të jenë aktive edhe në Dukat të Vlorës dhe Dajt të Tiranës. Në Dukat, flakët kanë marrë shtrirje të konsiderueshme në drejtim të malit, por aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Dajt po punohet për izolimin e vatrave të mbetura, ndërsa një pjesë e tyre tashmë janë izoluar plotësisht dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Mal Milot të Kurbinit është shuar dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje.

Reklamë

Për përballimin e situatës janë angazhuar në të gjithë territorin të paktën 639 forca, përfshirë 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacionet mbështeten edhe me mjete zjarrfikëse, katër helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë Shqipërinë, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.