×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Kremlini: Drejtori i CIA-s nuk u takua me Putinin

    Reporteri
    26 Gusht 2026 | 16:45

    Kremlini ka reaguar për vizitën e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë, duke thënë se zyrtari i lartë amerikan nuk u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë e lajmeve TASS se nuk ishte planifikuar takim mes Putin dhe Ratcliffe. Për Washington Post, Peskov tha se vizita përfshinte “kontakte midis shërbimeve të sigurisë”, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

    Vizita e Ratcliffe shënoi udhëtimin e tij të parë zyrtar në Rusi, edhe pse, sipas mediave ndërkombëtare, drejtori i CIA-s ka mbajtur kontakt me homologun e tij rus, Sergey Naryshkin, kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.

    Media ukrainase Kyiv Independent raportoi se Kievi u informua se një delegacion amerikan do të udhëtonte në Rusi, por fillimisht nuk iu tha se Ratcliffe do të ishte pjesë e tij.

    Sipas burimeve për Kyiv Independent, zyrtarët ukrainas pritet të informohen pas vizitës, megjithëse është e paqartë nëse Ratcliffe do të udhëtojë personalisht në Kiev.

    Burime të tjera thanë se Shtetet e Bashkuara i kërkuan Ukrainës të mos sulmojë Moskën ose Shën Petersburgun ndërsa Ratcliffe po vizitonte Rusinë.

    Uashingtoni dhe Moska i kanë mbajtur kanalet diplomatike të hapura, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar përpjekjet për paqe në Ukrainë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!