×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Detajet

    Mbi dy orë takim, Kurti: Për herë të parë diskutuam emra konkretë për president

    Reporteri
    26 Gusht 2026 | 20:43

    Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka zgjatur më shumë se dy orë.

    Pas takimit, Kurti tha se diskutimi ishte i hapur, i sinqertë dhe serioz, ndërsa bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë.

    Ai theksoi se, për dallim nga takimi i kaluar, palët për herë të parë kanë diskutuar edhe për emra konkretë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

    “Është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm. Pra, atyre kritereve dhe parimeve udhëzuese për të cilat jemi dakorduar herën e kaluar, lidhur me vlerat, meritat dhe kontributin kombëtar, shtetëror, profesional, qytetar, të personaliteteve, figurave të ndryshme, të shoqërisë ose të vendit tonë, ua kemi bashkangjitur edhe emrat konkretë të cilët i kemi diskutuar”, tha Kurti.

    Sipas tij, ky përbën një hap të rëndësishëm përpara në negociatat mes dy subjekteve politike.

    Kurti tha se tashmë procesi i negociimit është më i vështirë, pasi me shtimin e emrave të rinj, palët duhet të diskutojnë dhe të argumentojnë për secilin kandidat.

    “Lista e atyre emrave zvogëlohet atëherë kur është e qartë se nuk do të mund të ketë dakordim për ndonjë emër të përveçëm”, tha ai.

    Kurti theksoi se palët do të vazhdojnë të jenë transparente për procesin, por njëkohësisht do të ruajnë konfidencialitetin e bisedimeve.

    Ai sqaroi gjithashtu se emrat e diskutuar nuk janë kontaktuar paraprakisht për të marrë pëlqimin e tyre për kandidaturën.

    “Nuk janë emra të cilët ne i kemi pyetur paraprakisht se a do të pranonin apo se dëshironin që të jenë president ose presidente të Republikës, sepse paraprakisht duhet të dakordohemi ne ndërmjet vete”, deklaroi Kurti.

    Në takimin e sotëm, në delegacionin e LVV-së ishin edhe Arbërie Nagavci, e cila udhëheq grupin parlamentar të LVV-së dhe është anëtare e kryesisë dhe kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm, si dhe Hekuran Murati, anëtar i kryesisë së LVV-së dhe ministër në detyrë i Financave.

    Në anën e LDK-së, në takim morën pjesë ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

    Takimi i sotëm vjen pas atij të 18 gushtit, kur Kurti dhe Abdixhiku ishin pajtuar në parim për kriteret dhe profilin që duhet ta ketë presidenti i ardhshëm.

    Emrat konkretë të kandidatëve nuk janë bërë publikë, ndërsa Kurti tha se bisedimet do të vazhdojnë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!